30.09.2026
1 min read

Mbi një ton kanabis dhe 2,850 bimë të kultivuara – aktakuzë ndaj nëntë personave në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të cilët dyshohen për përfshirje në kultivimin dhe shpërndarjen e narkotikëve në një rast ku janë sekuestruar mbi një ton kanabis.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit E.M., E.E., E.I., K.Q., Sh.Xh., M.Q., I.B., L.H. dhe E.H. dyshohet se kanë vepruar si grup, duke u angazhuar në mbjelljen, kultivimin, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, si dhe në sigurimin e lokacioneve dhe mjeteve për transportimin e tyre.

Në dy parcela në fshatrat Kliqinë dhe Sverkë dyshohet se ishin kultivuar gjithsej 2,850 bimë kanabis sativa, nga të cilat, sipas aktakuzës, ishin siguruar 1,035 kilogramë e 712 gramë narkotikë.

Sasia e narkotikëve dhe bimët janë gjetur dhe sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë një operacioni të zhvilluar më 27 shtator 2024.

Sipas aktakuzës, njërit prej të pandehurve i ishte premtuar pagesa prej 15 mijë eurosh për angazhimin e tij në kultivimin e narkotikëve.

Hetimet kanë rezultuar edhe me sekuestrimin e 1,540 eurove në kartëmonedha të falsifikuara te njëri prej të pandehurve. Prokuroria dyshon se paratë mbaheshin me qëllim të futjes së tyre në qarkullim, ndërsa ndaj të pandehurit është ngritur akuzë edhe për veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Një tjetër i pandehur akuzohet për posedim të paautorizuar të armëve, pasi gjatë kontrollit ishte gjetur dhe sekuestruar një AK-47 së bashku me municion.

Nëntë të pandehurit përballen me akuza për veprat penale që lidhen me kultivimin e bimëve të kanabisit dhe blerjen, posedimin, shpërndarjen e shitjen e paautorizuar të narkotikëve, ndërsa ndaj disa prej tyre rëndojnë edhe akuza për vepra të tjera penale.

Pretendimet ndaj të pandehurve mbeten akuza të Prokurorisë dhe duhet të provohen në procesin gjyqësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Trump mbledh gjigantët e teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë: Marrëveshje për sigurinë dhe emër i ri për AI-në

Next Story

Aksion kundër fajdesë në Prizren, arrestohen dy persona – dyshohet se viktima pësoi dëme të konsiderueshme

Latest from Blog

Go toTop