19.09.2026
2 mins read

Gruaja simbol e eksodit rrëfen 24 orët e frikës: ‘Me ndihmën e UÇK-së shpëtuam’

Sherife Luta, e njohur si një nga figurat simbol të eksodit të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës, ka rrëfyer përvojën e saj të largimit nga shtëpia dhe ndihmën që, sipas saj, mori nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Luta ka folur edhe për aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se lajmin e kishte përjetuar rëndë.

Në kohën e luftës, ajo ishte 22 vjeçe dhe mbante në krahë vajzën e saj gjashtëmuajshe, Besën. Fotografia e saj me foshnjën gjatë eksodit u shndërrua në një nga imazhet e njohura të asaj periudhe.

Në një rrëfim për “Euronews”, Luta kujtoi 8 marsin, kur, sipas saj, familja ishte detyruar nga forcat serbe të largohej nga shtëpia.

“Ndihem shumë keq, një lajm shumë i keq më ka ardhur atë ditë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së. Më 8 mars jemi detyruar me dalë nga shpia me dhunë, se forcat serbe na detyruan me dalë nga shtëpia”, ka deklaruar ajo.

Luta tha se gjatë largimit kishin marrë ndihmë nga pjesëtarët e UÇK-së, të cilët, sipas rrëfimit të saj, i kishin paralajmëruar të largoheshin për shkak të luftimeve.

“Ushtria jonë Çlirimtare na ndihmoi të largohemi dhe na tha që të ikim, sepse do të luftohej me serbët. Ikëm nga fshati Ivaj drejt Kaçanikut dhe aty ishim të rrezikuar, se na ndaluan forcat serbe gjatë rrugës”, rrëfeu ajo.

Sipas Lutës, udhëtimi për t’u larguar nga zona e rrezikut kishte zgjatur rreth 24 orë, ndërsa tha se ndihma e OSBE-së dhe e UÇK-së kishte qenë e rëndësishme për shpëtimin e tyre.

“Me ndihmën e OSBE-së dhe Ushtrisë tonë shpëtuam. Ishte një udhëtim shumë i gjatë, 24 orë. Ka qenë e vështirë, me ndihmën e Ushtrisë tonë dolëm dhe u larguam nga fshati”, tha ajo.

Duke folur për atë që përfaqëson UÇK-ja për të, Luta tha se e konsideron atë ushtrinë që ndihmoi popullsinë dhe kontribuoi në lirinë e Kosovës.

“UÇK-ja është për mua ushtria që na ka ndihmuar shumë, e ka ndihmuar Kosovën dhe na ka sjellë lirinë”, u shpreh ajo.

Fotografia e njohur me vajzën e saj vazhdon t’i rikthejë kujtimet e asaj periudhe. Luta tha se edhe vajza e saj tashmë e njeh historinë që qëndron pas fotografisë dhe e kupton përvojën që familja kishte kaluar.

“Fotoja më kujton kohën e luftës. Besjana tani e përkujton luftën dhe e di dhe e kupton edhe ajo. Kurrë nuk harrohet kjo deri në momentin e vdekjes. Ata njerëz që kanë përjetuar ato që na ka bërë Serbia, nuk harrohen”, përfundoi Luta.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Kurti: ADN-ja konfirmon se mbetjet mortore u përkasin pjesëtarëve të “Grupit të Intelektualëve”, duhet rritur trysnia ndaj Serbisë

Next Story

Veliaj me propozim nga paraburgimi: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi të shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës

Latest from Blog

Go toTop