16.09.2026
2 mins read

Gazeta France 24 për Thaçin: Nga “George Washingtoni i Kosovës” te dënimi në Hagë

Mediumi i njohur francez France 24 i ka kushtuar një artikull ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pas dënimit të tij me 25 vjet burgim për krime lufte, duke rikthyer në vëmendje rrugëtimin e tij nga një prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri te procesi gjyqësor në Hagë.

Në artikullin e bazuar në raportimin e Agence France-Presse (AFP), Thaçi përshkruhet si një figurë që për dekada është parë nga shumë qytetarë të Kosovës si hero i luftës dhe simbol i përpjekjeve për çlirim dhe pavarësi.

France 24 shkruan se Thaçi udhëhoqi UÇK-në gjatë luftës së viteve 1998–1999, ndërsa më pas u bë një nga figurat kryesore të skenës politike të Kosovës.

Ndikimi dhe popullariteti i tij politik u rritën veçanërisht në periudhën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kur Thaçi ishte kryeministër. Gjatë karrierës së tij politike ai shërbeu si kryeministër, ministër i Jashtëm dhe më pas president i Kosovës.

Megjithatë, mediumi francez rikujton se ndaj Thaçit ndër vite janë ngritur edhe akuza dhe pretendime të ndryshme. Në veçanti përmendet raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2010, i cili përmbante pretendime për lidhje me krimin e organizuar dhe abuzime të rënda gjatë dhe pas luftës. Thaçi i ka mohuar akuzat ndaj tij.

France 24 përmend gjithashtu kritikat që Thaçi dhe partia e tij kanë marrë gjatë viteve lidhur me korrupsionin dhe përqendrimin e pushtetit te aleatët politikë.

Por pikërisht çështjet që lidhen me periudhën e luftës do të shënonin fundin e karrierës së tij si president.

Në vitin 2020, pasi aktakuza ndaj tij u konfirmua nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit dhe u nis drejt Hagës.

“Këto nuk janë momente të lehta për mua dhe familjen time, si dhe për ata që më kanë mbështetur dhe besuar në tri dekadat e fundit të luftës sonë për liri, pavarësi dhe ndërtimin e shtetit”, kishte deklaruar Thaçi në atë kohë.

Sipas raportimit të France 24/AFP, gjykata e shpalli atë fajtor për krime që përfshijnë vrasje, arrestim dhe ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe torturë, duke e dënuar me 25 vjet burgim.

Shpallja e aktgjykimit u përcoll me vëmendje të madhe edhe në Kosovë. Në Prishtinë, qytetarë të shumtë e ndoqën drejtpërdrejt vendimin përmes një ekrani të vendosur në shesh.

Vetëm disa ditë para shpalljes së aktgjykimit, dhjetëra mijëra qytetarë ishin mbledhur në Prishtinë në mbështetje të Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së që po gjykoheshin në Hagë, duke kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.

Artikulli i France 24 paraqet kështu kontrastin mes rolit historik dhe politik që Thaçi ka pasur në Kosovë dhe përfundimit të procesit të tij në shkallën e parë në Hagë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Përparim Rama ngre akuza: Me urdhër direkt të Ministrisë së Sportit u përjashtova nga fjala në forumin për Lojërat Mesdhetare 2030

Next Story

Haga e lidhi Thaçin me rastin Allaqi – Dokumenti i vitit 2000 sjell version tjetër nga ai i Hagës

Latest from Blog

Go toTop