Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Shtime, ku një 51-vjeçar është gjetur i shtrirë pranë një marketi dhe më pas është dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente.
Sipas raportimeve të Sinjalit, viktima është Nexhmedin Gavazi, i lindur në vitin 1974 dhe banor rezident i QIRSKP-së në Shtime.
Ngjarja është raportuar rreth orës 22:30, në rrugën “Tahir Sinani”, përballë QIRSKP-së. Ekipi i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe e ka transportuar 51-vjeçarin drejt Qendrës Emergjente në Shtime, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se ai ishte pa shenja jete.
Dyshimet e para janë se viktima mund të jetë ngulfatur gjatë konsumimit të ushqimit, pasi nga fyti i tij raportohet se është larguar një copë ushqimi. Megjithatë, shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar zyrtarisht dhe kjo mbetet vetëm një pistë fillestare.
Në vendin e ngjarjes dhe në Emergjencë kanë dalë hetuesit rajonalë dhe njësia e Forenzikës, të cilët kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore.
Me urdhër të prokurorit kujdestar për krime të rënda, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun përfundimtar të vdekjes.