Një operacion i gjerë kundër korrupsionit në Irak ka nxitur reagime të shumta, pasi mediat raportojnë se gjatë bastisjes në shtëpinë e deputetes Hind Al-Abbasi janë gjetur 57 milionë dollarë para të gatshme, 27 kilogramë ar të pastër, si dhe të brendshme të punuara me ar.
Sipas raportimeve, aksioni ka çuar në arrestimin e 47 personave, mes tyre deputetë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, në kuadër të një hetimi për keqpërdorim të fondeve publike dhe korrupsion.
Megjithatë, pavarësisht se Hind Al-Abbasi figuron si deputete në faqen zyrtare të Parlamentit të Irakut, autoritetet irakiane ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht pretendimet për bastisjen në banesën e saj apo për sasinë e pasurisë së sekuestruar.
Operacioni është pjesë e fushatës kundër korrupsionit të nisur nga qeveria e kryeministrit Ali al-Zaidi, me bastisje të zhvilluara në disa lokacione, kryesisht në Bagdad. Sipas raportimeve, mes të ndaluarve janë të paktën shtatë deputetë dhe disa zyrtarë të lartë.
Ndërkohë, në një rast tjetër të njoftuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Irakut, gjatë hetimeve ndaj një ish-zëvendësministri të Naftës u sekuestruan rreth 10 milionë dollarë para të gatshme, 3 miliardë dinarë irakianë, bizhuteri ari, armë të shumta dhe rreth 40 prona.
Kryeministri Ali al-Zaidi ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë pa kompromis, duke paralajmëruar se hetimet dhe operacionet mund të zgjerohen edhe ndaj personave të tjerë.