26.06.2026
2 mins read

SHBA mban në listën e zezë 14 biznese nga Kosova – ja arsyet e sanksioneve

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë në fuqi sanksionet ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Kosova renditet e dyta në rajon për numrin e personave dhe bizneseve të përfshira në listën e zezë amerikane.

Sipas të dhënave të publikuara nga Radio Evropa e Lirë, deri në fillim të qershorit 2026 në listën e zezë të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja të Departamentit amerikan të Thesarit (OFAC) ndodheshin 131 individë dhe subjekte nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Serbia kryeson me 49 raste të sanksionuara, pasuar nga Kosova me 29, Bosnje e Hercegovina me 26, Maqedonia e Veriut me 12, Shqipëria me 8 dhe Mali i Zi me 7.

Më 22 qershor 2026, SHBA-ja zgjati edhe për një vit mekanizmin ligjor që mundëson vendosjen e sanksioneve ndaj personave dhe subjekteve që konsiderohen përgjegjës për korrupsion, krim të organizuar, destabilizim të rajonit, terrorizëm apo aktivitete të lidhura me ndikimin rus.

Nga 29 rastet që lidhen me Kosovën, 14 janë subjekte juridike. Shumica e tyre janë vendosur në listën e zezë në kuadër të programit Global Magnitsky (GLOMAG), ndërsa pjesa më e madhe lidhen me rrjetin kriminal që, sipas autoriteteve amerikane, udhëhiqet nga biznesmeni serb Zvonko Veselinoviq.

Sipas OFAC-ut, kompanitë e sanksionuara dyshohet se janë përdorur për kontrabandë, korrupsion, manipulim të tenderëve publikë, pastrim parash dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar. Disa prej tyre janë të lidhura edhe me persona të dyshuar për trafikim narkotikësh ose me organizata të shpallura terroriste.

Në listën e subjekteve nga Kosova përfshihen kompani nga Zveçani, Mitrovica, Peja, Jasenoviku, Zupçi, Izvori dhe Prishtina. Një pjesë e tyre tashmë kanë kaluar në status pasiv ose janë mbyllur, por vazhdojnë të mbeten në listën e sanksioneve, pasi sipas rregullave të OFAC-ut një subjekt nuk hiqet automatikisht nga lista edhe nëse pushon aktivitetin.

Për t’u larguar nga lista e zezë kërkohet një procedurë formale ligjore, përmes së cilës duhet të dëshmohet se kanë ndryshuar rrethanat ose se ka përfunduar veprimtaria që çoi në vendosjen e sanksioneve.

Sanksionet amerikane përfshijnë ngrirjen e pasurisë që bie nën juridiksionin e SHBA-së, ndalimin e transaksioneve me persona dhe kompani amerikane, si dhe rrezikun e vendosjes së sanksioneve dytësore ndaj institucioneve financiare ose kompanive të huaja që bashkëpunojnë me subjektet e sanksionuara.

Në rastin e Kosovës, subjektet e sanksionuara lidhen kryesisht me emrat e Sinisha Nedeljkoviqit, Zvonko Veselinoviqit, Zharko Veselinoviqit, Radulle Steviqit, Radovan Radiqit, Milan Radisavleviqit dhe rrjetin kriminal të Naser Kelmendit, ndërsa në listë figuron edhe dega në Kosovë e organizatës “Ringjallja e Shoqatës së Trashëgimisë Islame”, e sanksionuar nga SHBA për lidhje me terrorizmin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Sulmohet ekipi i RTV Dukagjinit gjatë raportimit në Gjilan

Next Story

Kamerat kapin një person duke shkulur drunjtë e sapombjellë në Ferizaj

Latest from Blog

Go toTop