Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka prezantuar raportin vjetor për vitin 2025 lidhur me zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike.
Raporti, i prezantuar nga prokurorja Elza Bajrami-Kastrati, tregon se shumica e kallëzimeve penale për korrupsion janë paraqitur nga qytetarët, ndërsa vetëm katër raste janë iniciuar nga vetë prokuroritë gjatë vitit 2025.
Sipas të dhënave, viti kishte nisur me 708 raste të korrupsionit të bartura nga vitet paraprake, ndërsa gjatë vitit janë pranuar edhe 677 raste të reja. Nga këto, janë proceduar 529 raste, ndërsa 1,027 kanë mbetur në trajtim.
Prokuroria Themelore në Gjilan është vlerësuar si institucioni me performancën më të lartë në trajtimin e kallëzimeve penale për korrupsion, me një shkallë trajtimi prej 67 për qind. Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Mitrovicë është identifikuar si prokuroria me numrin më të ulët të rasteve të zgjidhura në këtë fushë.
Sa i përket ngritjes së aktakuzave, Prokuroria Themelore në Prizren ka rezultuar më e suksesshmja, pasi të gjitha rastet e korrupsionit të trajtuara kanë përfunduar me aktakuza. Ndërkaq, Prokuroria e Pejës ka shënuar nivelin më të ulët të aktakuzave, me shumicën e rasteve të mbyllura përmes hedhjes së kallëzimeve penale ose pushimit të hetimeve.
Raporti evidenton gjithashtu se Prokuroria e Apelit ka aprovuar shumicën e ankesave kundër vendimeve për hedhje të kallëzimeve dhe pushim të hetimeve, duke rikthyer lëndët për rivendosje në prokuroritë përkatëse.
Edhe në fushën e krimeve ekonomike, Gjilani ka kryesuar për numrin më të madh të rasteve të proceduara, ndërsa Mitrovica ka shënuar performancën më të dobët. Prokuroria Themelore në Gjakovë është dalluar për efikasitetin më të lartë në ngritjen e aktakuzave, pasi të gjitha rastet e trajtuara kanë përfunduar me aktakuza.
Raporti përmbledh punën e shtatë prokurorive themelore dhe të Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2025, duke analizuar trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, si dhe duke ofruar rekomandime për përmirësimin e luftës kundër këtyre dukurive.