Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së hënës në Ksamil, ku një 22-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti detar.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, rreth orës 18:30, Albiano Kreçi, banor i Ksamilit, ishte duke lundruar me një mjet lundrues tip “jet ski” kur dyshohet se është përplasur me një skaf të Policisë Kufitare. Sipas autoriteteve, skafi policor ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut dhe po monitoronte hapësirën detare.
Përplasja ka rezultuar me lëndime të rënda për të riun, i cili është nxjerrë menjëherë nga deti me ndihmën e efektivëve të Policisë dhe personave të tjerë që ndodheshin në zonë. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por fatkeqësisht nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas ngjarjes, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, ndërsa në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.