16.06.2026
1 min read

Dosja e PSRK-së për masakrën e Reçakut: Vrasje, tortura, djegie shtëpish dhe dëbim masiv – paraburgim për pesë të dyshuarit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pesë personave të arrestuar nën dyshimin për përfshirje në masakrën e Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Sipas kërkesës së siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) i ngarkon të dyshuarit Novica Peçinoqeviq, Stanoje Janiçeviq, Borko Paliq, Sllaxhan Milisavleviq dhe Stanko Saviq me krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë periudhës 1998-1999.

Dosja e Prokurorisë përshkruan në detaje vrasjen e 42 civilëve shqiptarë në Reçak më 15 janar 1999, trajtimin çnjerëzor të dhjetëra banorëve, djegien dhe shkatërrimin e pronave, si dhe dëbimin masiv të popullsisë civile nga zona. Sipas hetimeve, katër prej të arrestuarve ishin pjesëtarë të Njësive të Veçanta të Policisë së Serbisë, ndërsa i pesti kishte shërbyer si polic në Ferizaj.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit morën pjesë në operacionin policor-serb që kulmoi me ekzekutimin e civilëve shqiptarë, torturimin e banorëve, djegien e shtëpive dhe spastrimin etnik të mijëra banorëve nga Reçaku dhe fshatrat përreth.

Në dosje përfshihet edhe rasti i njohur si “Plaku i Reçakut”, ku sipas Prokurorisë, njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka marrë pjesë në keqtrajtimin fizik dhe psikologjik të Osman Mujotës para kamerave të mediave serbe.

Sipas PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se pesë të arrestuarit, në bashkëkryerje, kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile, vepra që sipas legjislacionit aktual kualifikohen si krime kundër njerëzimit.

Hetimet për këtë rast janë zhvilluar për gjashtë muaj, ndërsa Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se deri në vitin 2020 nuk ishte zhvilluar asnjë hetim konkret për masakrën e Reçakut, pavarësisht se bëhet fjalë për një nga ngjarjet më të dokumentuara të luftës në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Paguhej 700 euro në muaj nga BIA serbe – Hysri Selimi dënohet për spiunazh me vetëm 6 vite burg

Next Story

Tragjedi në Ksamil: 22-vjeçari humb jetën pas përplasjes me skafin e Policisë Kufitare

Latest from Blog

Go toTop