Autoritetet e Kosovës kanë publikuar detaje për pesë personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Reçaku II”, të cilët dyshohen për përfshirje në krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Sipas Bashkim Spahiut nga Policia e Kosovës, arrestimet janë realizuar pas një sërë veprimesh hetimore dhe kontrolleve të kryera me urdhër të organeve kompetente në disa lokacione.
Personat e arrestuar janë:
- N.P. (1968), shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb nga Shtërpca, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
- S.J. (1967), shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, i lindur në Betollush të Shtërpcës, ish-polic i pensionuar.
- B.P. (1969), i nacionalitetit serb, i lindur në fshatin Serqe të Shtërpcës, ish-polic. Ai u arrestua në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në pikëkalimin kufitar në Merdarë.
- S.M. (1968), nga Shtërpca, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
- S.S. (1966), i lindur në Gjilan, aktualisht punëtor në shërbimet postare në Serbi, i cili sipas autoriteteve kishte qenë pjesë e formacioneve policore në kohën kur dyshohet se janë kryer krimet.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Reçaku II”, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin janë ende në vazhdim.