Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, duke kërkuar reagim qytetar dhe organizim protestash lidhur me zhvillimet e fundit në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe politikat energjetike të vendit.
Sipas Hotit, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka dështuar të ndërtojë një strategji të qartë energjetike dhe ka marrë vendime që, sipas tij, kanë dëmtuar interesat strategjike të Kosovës dhe partneritetin me SHBA-në.
Ai ka ngritur disa çështje që i konsideron shqetësuese, duke pyetur pse është refuzuar projekti amerikan i gazit natyror në një kohë kur vendet e rajonit po përfshihen në iniciativa të ngjashme për të zvogëluar varësinë energjetike dhe ndikimin rus. Po ashtu, Hoti ka kritikuar mungesën e investimeve në kapacitete të reja energjetike gjatë gjashtë viteve të fundit dhe ka shtruar pyetjen se kujt i shërben mbajtja e Kosovës të varur nga importi i energjisë.
Sipas tij, energjia nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje e sigurisë kombëtare, orientimit gjeopolitik dhe marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Hoti ka përmendur gjithashtu përjashtimin e Kosovës nga ushtrimi ndërkombëtar “Defender Europe 2023” dhe pezullimin e dialogut strategjik Kosovë–SHBA gjatë vitit 2025, duke i cilësuar këto si sinjale shqetësuese për pozitën ndërkombëtare të vendit.
Ai ka vlerësuar se mungesa e reagimit institucional, politik dhe qytetar ndaj këtyre zhvillimeve nuk mund të konsiderohet neutralitet, por përgjegjësi e përbashkët. Sipas tij, nëse ekziston një kauzë për protestë, ajo duhet të lidhet me orientimin strategjik të Kosovës dhe refuzimin e projektit amerikan të gazit.
Në fund, Hoti ka drejtuar kritika edhe ndaj opozitës, duke thënë se ajo shpesh është e përqendruar në çështje të posteve politike dhe jo në kauza me interes shtetëror, gjë që, sipas tij, është reflektuar edhe në rezultatet zgjedhore.