Arian Alijaj dhe Spartak Dërmaku janë dy nga tre personat e arrestuar të martën në një operacion të gjerë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, i realizuar me mbështetjen e Policisë së Kosovës, FBI-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Të dyshuarit po hetohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë pjesëmarrjen në grup të organizuar kriminal, financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave.
Alijaj është emër i njohur për organet e drejtësisë, pasi në vitin 2016 ishte dënuar për terrorizëm, pas pranimit të fajësisë në një proces të zhvilluar nga Prokuroria Speciale. Ai ishte shpallur fajtor për pjesëmarrje në formacione të huaja paraushtarake në Siri dhe ishte dënuar me dy vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës së atëhershme, Alijaj kishte qëndruar në Siri gjatë vitit 2016 dhe ishte ndaluar nga autoritetet turke pas kthimit nga zona e konfliktit. Më pas, ai ishte ekstraduar në Kosovë dhe ishte përballur me drejtësinë kosovare.
Ndërkohë, fotografi të publikuara në rrjetet sociale tregojnë se Alijaj dhe Dërmaku kanë qenë në shoqëri të njëri-tjetrit. Bazuar në aktivitetet e tyre publike, të dy rezultojnë të kenë qenë të angazhuar edhe në fushën e kriptovalutave.

Operacioni i koduar “Mega” u zhvillua me mbështetjen e autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, përfshirë agjenci të Departamentit amerikan të Shtetit që asistojnë institucionet e drejtësisë në vendet partnere.