Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohen për përfshirje në vendosjen e barrikadave në komunat veriore gjatë muajit dhjetor të vitit 2022.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit me inicialet D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V. ngarkohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim sulmin ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, të pandehurit, duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe vendosjen e rendit kushtetues në komunat veriore.
Prokuroria pretendon se gjatë kësaj periudhe janë bllokuar rrugë kryesore me kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autobusë, ambulanca dhe automjete të tjera. Sipas hetimeve, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm të kundërshtonin me dhunë çdo ndërhyrje të Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rikthimin e lirisë së lëvizjes.
Ndërkohë, hetimet ndaj 11 personave të tjerë janë pezulluar për shkak se ata vazhdojnë të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Vendosja e barrikadave në veri kishte ndodhur pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq, i cili dyshohej për organizimin e sulmeve ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut. Në korrik të vitit 2025, Pantiq u dënua me dy vjet burgim, pasi vepra për të cilën akuzohej u rikualifikua nga terrorizëm në pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm.