Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se i ka propozuar gjykatës caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.
Sipas hetimeve paraprake, rasti ka ndodhur më 7 qershor gjatë procesit zgjedhor për Kuvendin e Kosovës, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Sharr” në fshatin Jabllanicë të Prizrenit.
I dyshuari A.D., në cilësinë e anëtarit të komisionit zgjedhor, dyshohet se me qëllim të cenimit të rregullsisë së procesit zgjedhor dhe të shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve, ka marrë dhe fshehur gjashtë fletëvotime të paplotësuara, pasi paraprakisht i kishte shkëputur nga blloku i fletëvotimeve.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të çdo rasti që cenon vullnetin e qytetarëve dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Autoritetet kanë bërë të ditur se, në bashkëpunim me organet e rendit, do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me ligjin.