Një aksion i gjerë i Njësisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike ka rezultuar me arrestimin e dy personave që dyshohen se kanë organizuar një skemë mashtrimi përmes mesazheve SMS, duke u paraqitur në emër të institucioneve shtetërore dhe financiare, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të sigurta, të arrestuarit janë Angel Ognyanov Ralchev dhe Florian Hoti, të cilët dyshohen se kanë qenë pjesë e një grupi të organizuar kriminal që dërgonte mesazhe mashtruese në emër të Policisë së Kosovës, bankave komerciale, Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe platformës e-Kosova.
Hetimet tregojnë se përmes këtyre SMS-ve qytetarët drejtoheshin në faqe të rreme, ku kërkohej futja e të dhënave të kartelave bankare. Pas sigurimit të këtyre informacioneve, të dyshuarit dyshohet se realizonin transaksione të paautorizuara, tërhiqnin mjete financiare dhe kryenin blerje online në dëm të viktimave.
Më 4 qershor 2026, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, hetuesit zhvilluan një operacion në lagjen Dragodan, ku u arrestua Angel Ognyanov Ralchev. Gjatë kontrollit të banesës së tij u sekuestruan dy telefona mobilë, katër kartela SIM, tetë kartela bankare, pajisje elektronike dhe një automjet.
Pas daljes para gjykatës, ndaj tij është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Ndërkohë, më 8 qershor 2026, është arrestuar edhe Florian Hoti në Prizren. Në kuadër të të njëjtit operacion janë kryer kontrolle edhe në fshatin Krushë e Madhe, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që dyshohet se lidhen me veprimtarinë kriminale të grupit.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit, Hotit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Burimet e afërta me hetimin bëjnë të ditur se grupi dyshohet të ketë funksionuar në mënyrë të organizuar dhe se deri më tani vetëm në rajonin e Prishtinës janë evidentuar mbi 150 raste mashtrimi, me dëme të konsiderueshme financiare për qytetarët.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e kësaj skeme mashtruese.
Shënim: Për të konfirmuar përgjegjësinë penale të personave të përmendur, duhet të pritet vendimi përfundimtar i gjykatës. Deri atëherë, ata konsiderohen të pafajshëm.