Një person është ndaluar nga Policia e Kosovës në Ferizaj dhe ndaj tij është iniciuar rast për posedim të paautorizuar të substancave narkotike, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas burimit, rasti ka ndodhur më 4 qershor rreth orës 19:45 në rrugën “Dëshmorët e Zaskokut”, ku hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në kuadër të planit operativ “Stop Drogave në Shkolla”, kanë ndaluar për kontroll një person të dyshuar.
Burimet bëjnë të ditur se, para kontrollit fizik, zyrtarët policorë e kanë pyetur të dyshuarin nëse posedonte ndonjë send të kundërligjshëm. Ai ka deklaruar se në çantën e tij ndodhej një cigare e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Pas kësaj, i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj, ku janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale. Si provë materiale është sekuestruar një cigare me rreth 0.55 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar intervistimin e të dyshuarit dhe procedimin e rastit në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.