31.05.2026
1 min read

Hoti: Dështimi i “Kosovës së Re” dhe centralit me gaz ishte veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan

Kandidati për deputet nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër pushtetin aktual për, siç ka thënë ai, dështimin e dy projekteve madhore energjetike: “Kosova e Re” dhe centrali me gaz.

Sipas Hotit, këto dy projekte mbeten ndër projektet më strategjike për Kosovën, jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për rëndësinë politike dhe energjetike që do të kishin për vendin në dekadat e ardhshme.

Ai ka theksuar se të dy projektet kanë pasur mbështetjen e aleatit kryesor të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për projektin e parë ishte nënshkruar kontrata me një kompani amerikane, në prani të ambasadorit amerikan në Prishtinë. Ndërsa projekti i dytë ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit Donald Trump. Çfarë duhej më shumë për ta kuptuar rëndësinë e këtyre projekteve për Kosovën dhe për raportet e saj me SHBA-në?”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, anulimi i këtyre projekteve nga Albin Kurti, me mbështetjen e individëve të ndryshëm në politikë dhe shoqëri civile, ka qenë veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan.

Hoti ka akuzuar se kundërshtimi i projekteve është maskuar përmes, siç e quan ai, një fushate mashtruese për ndotjen e ambientit, ndonëse sipas tij ishte paraparë përdorimi i teknologjisë së avancuar dhe më të pastër nga prodhues të njohur perëndimorë.

Ai ka shtuar se një fushatë e tillë i ka shërbyer atyre që, për interesa ekonomike dhe politike, duan ta mbajnë Kosovën të varur nga importi i energjisë.

Në fund, Hoti ka thënë se qeveria e ardhshme duhet t’i rikthehet urgjentisht zbatimit të këtyre projekteve.

“Kosova mund dhe do të bëhet eksportuese neto e energjisë. Kosova mund t’i lejojë vetes varësi energjetike vetëm nga SHBA-ja, përmes projektit të gazit amerikan”, ka deklaruar Hoti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

10 euro për hyrje në Prishtinë me veturë, Komuna propozon taksë të re për qytetarët nga komunat tjera

Next Story

Kurti: Bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri nuk është zgjedhje, por detyrë kombëtare

Latest from Blog

Go toTop