Një rast i pazakontë antidrogë është zbuluar në Prizren, ku dy të rinj dyshohet se kanë fshehur substancë narkotike në karrocerinë e një kamionete të parkuar, pa dijeninë e pronarit të automjetit.
Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se të dyshuarit janë Dion Balibasha dhe Rinor Braha. Sipas dyshimeve fillestare, më 24 maj, rreth orës 23:45, ata kanë vendosur substancën narkotike në një kamionetë të parkuar në rrugën “Salih Shabani” në Prizren, me qëllim shitjen e saj.
Pronari i kamionetës, sipas hetimeve, nuk kishte dijeni për drogën e fshehur në automjet.
Rasti u zbulua të nesërmen në mëngjes, kur kamioneta nisi lëvizjen dhe, pasi arriti në rrugën “Ismet Gashi”, qesja me narkotikë dyshohet se ra në rrugë. Kjo ngriti dyshime dhe më pas çoi në identifikimin e personave të dyshuar.
Pas identifikimit të tyre, me urdhër të prokurorit kujdestar dhe me autorizim verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake, Policia realizoi bastisje në dy shtëpi dhe në një veturë në Prizren. Gjatë kontrollit nuk u gjet ndonjë substancë tjetër e dyshuar.
Si prova materiale janë sekuestruar dy telefona mobilë dhe një veturë. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësia antidrogë në Prizren.