Një rast i rëndë është raportuar në Prishtinë, ku një zyrtari policor i është vjedhur çanta në të cilën ndodhej arma zyrtare dhe një shumë parash.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, ngjarja ka ndodhur dje në fshatin Barilevë, në rrugën “Qazim Dragusha”, në intervalin kohor rreth orës 18:00 deri në 20:00.
Bazuar në informacionet e para, polici dyshohet se kishte lënë të ndezur veturën e tij “Range Rover”, derisa kishte dalë për pak çaste jashtë automjetit.
Persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë shfrytëzuar momentin, kanë hapur derën e veturës dhe kanë marrë çantën e tij. Brenda çantës ndodheshin arma zyrtare e tipit “Glock” dhe rreth 400 euro para të gatshme.
Automjeti nuk kishte shenja dëmtimi, çka ngre dyshime se autorët kanë vepruar duke shfrytëzuar pakujdesinë dhe faktin se vetura mund të ketë qenë e hapur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore të Kryeqytetit, hetimet rajonale dhe krimteknika. Po ashtu, janë duke u verifikuar kamerat e sigurisë në zonën përreth.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”. Deri më tani, arma zyrtare e zhdukur nuk është gjetur.