Policia e Kosovës ka arrestuar një 25-vjeçar me inicialet L.T. në fshatin Sojevë të Ferizajt, pasi gjatë kontrollit u konstatua se ndaj tij kishte urdhërarrest aktiv.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:25, kur patrulla e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, gjatë një pike kontrolli në Sojevë, ndaloi për kontroll një veturë të tipit “Opel Meriva” me targa vendore.
Gjatë verifikimit të pasagjerit, policia konstatoi se 25-vjeçari kërkohej me urdhërarrest nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Po ashtu, gjatë kontrollit, atij iu gjet një armë zjarri, pistoletë, me pesë fishekë.
Në vendngjarje dolën edhe njësitë reaguese, ndërsa i dyshuari u shoqërua në stacion policor, ku u intervistua nga hetuesit.
Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar rast për “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa më pas është dërguar për vuajtje të dënimit prej 20 ditësh burgim për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.