Një incident fizik është raportuar më 12 maj 2026, rreth orës 10:10, te dalja e autostradës në Suharekë, ku viktimë ka qenë një kondukter i kompanisë “Auloni Tours”.
Sipas burimeve të Insajderit, i dyshuari për sulmin është pronari i kompanisë “Arditi Tours”, ndërsa konflikti dyshohet se ka nisur pas një vonese të kondukterit.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se para sulmit fizik, kondukteri ishte kërcënuar verbalisht dhe kishte kërkuar ndihmën e Policisë. Megjithatë, sipas burimit, Policia fillimisht nuk ishte marrë me rastin, pavarësisht pretendimeve për kërcënim.
Pas incidentit, kondukteri ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se viktima është sulmuar nga pronari i një kompanie tjetër të transportit nga Ferizaj.
“Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Insajderin.
Policia ka njoftuar se i dyshuari është identifikuar, ndërsa procedurat hetimore janë duke vazhduar.