Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi me kriptovaluta.
Të dyshuarit, Valdrin Neziri, Artan Limani dhe Redon Jahija, dyshohet se në bashkëpunim janë prezantuar si investitorë dhe kanë bindur qytetarë të investojnë në kriptovalutën USDT.
Sipas dosjes hetimore, ata kishin marrë me qira një lokal në Ferizaj, ku përmes një skeme të organizuar dyshohet se u kanë marrë tre viktimave rreth 12 mijë euro. Në rast dyshohet se është përdorur edhe një dollap i modifikuar për fshehjen e parave.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për veprën penale “Mashtrimi”, duke miratuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.
Sipas raportimeve, të dyshuarit kishin tentuar ta përsërisnin të njëjtën skemë edhe në Kaçanik, por policia kishte ndërhyrë dhe kishte arrestuar dy prej tyre, ndërsa një tjetër ishte arratisur përkohësisht.
Hetimet për rastin po vazhdojnë dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe viktima të tjera.