Një përplasje serioze brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka dalë në pah, duke vënë përballë kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën.
Sipas burimeve të sigurta, raportet mes tyre kanë hyrë në një fazë të tensionuar, deri në ndërprerje të bashkërendimit politik.
Deri vonë, Rama shihej si një prej projekteve më të rëndësishme politike të Abdixhikut në kryeqytet dhe u rizgjodh me mbështetjen e plotë të strukturave të LDK-së. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se raporti mes tyre ka pësuar krisje të thellë.
Burimet bëjnë të ditur se përplasja lidhet drejtpërdrejt me ndërmarrjen publike Termokos, ku, sipas tyre, Abdixhiku ka kërkuar ndikim në drejtimin e saj.
Në këtë kontekst përmenden edhe emrat e Arton Ratkocerit dhe Shkumbin Gashit, të cilët, sipas burimeve dhe vlerësimeve brenda rrethit të Ramës, konsiderohen si persona që po tentojnë të ndikojnë në vendimmarrjen për ndërmarrjet komunale, veçanërisht për Termokosin.
Nga ana tjetër, sipas të njëjtave burime, Përparim Rama e ka kundërshtuar këtë qasje, duke kërkuar që ndërmarrjet e Prishtinës të menaxhohen pa ndikime nga jashtë Komunës dhe pa ndërhyrje të personave që nuk janë pjesë e saj.
Kjo situatë, sipas burimeve, ka çuar në një përplasje të ashpër mes dy palëve dhe në përkeqësim të komunikimit.
Ndërkohë, brenda strukturave të LDK-së në Prishtinë po qarkullon mesazhi se “rrugët janë ndarë”.
Burime nga partia thonë se Abdixhiku ua ka bërë të qartë disa kryetarëve të degëve në Prishtinë dhe bashkëpunëtorëve të tij se nuk ka më bashkërendim me Ramën. Një qëndrim i ngjashëm, sipas burimeve, është përcjellë edhe nga Rama te bashkëpunëtorët e tij në Komunë.
Zhvillimet, megjithatë, nuk pritet të ndalen me kaq.
Sipas burimeve, në ditët në vijim mund të ketë ndryshime në drejtoritë komunale, largime ose rotacione të zyrtarëve që konsiderohen të afërt me Abdixhikun, si dhe rishikim të pozitës së nënkryetarit.
Në fokus mbetet edhe Drejtoria e Investimeve Kapitale, për të cilën thuhet se Rama nuk pritet të lejojë më ndikim politik të jashtëm, as që ajo të drejtohet nga njerëz të afërt me Abdixhikun.
Këto zhvillime vijnë në një moment të ndjeshëm politik, kur vendi mund të hyjë në një cikël të ri zgjedhor.
Një përplasje e tillë brenda partisë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për pozicionin e LDK-së në kryeqytet dhe më gjerë.
Ndonëse ky konsiderohet konflikti më serioz deri më tani mes Abdixhikut dhe Ramës, sipas burimeve, tensione të ngjashme kanë ekzistuar edhe më herët.
Në një rast tjetër, si pikë përplasjeje ishte përmendur edhe një billboard i vendosur në hyrje të Veternikut, që sipas burimeve lidhej me rrethin familjar të Abdixhikut. Po sipas tyre, ai ishte larguar për një periudhë me vendim të Ramës, gjë që kishte shkaktuar pakënaqësi dhe një përplasje të re mes tyre.
Mbetet të shihet nëse këto ndasi do të tejkalohen përmes një marrëveshjeje të mundshme, apo nëse do të thellohen edhe më tej në ditët në vijim.