Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, e ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2026 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Sipas dokumentit zyrtar, pasuria e tij përbëhet kryesisht nga prona të paluajtshme të trashëguara dhe kursime të krijuara nga të hyrat familjare vjetore.
Mbi 3 hektarë tokë dhe pasuri të paluajtshme
Në deklarim figurojnë disa prona, ku pjesa më e madhe rezulton të jetë trashëguar nga prindi në vitin 2010. Ndër to përfshihen një pyll me sipërfaqe mbi 20 ari, ku Aliu ka pjesë ideale 1/6, një truall prej 55.72 ari në pronësi të përbashkët, një arë prej 20.02 ari e blerë në vitin 2021 përmes shitblerjes, një parcelë toke prej 14.54 ari, një oborr prej 5 ari, si dhe një shtëpi me sipërfaqe 173.18 metra katrorë, e cila po ashtu figuron si pronë e trashëguar.
Në deklarim është përfshirë edhe një banesë në emër të bashkëshortes, me sipërfaqe 153.37 metra katrorë, e blerë në vitin 2022 në vlerë prej 63 mijë eurosh. Sipas të dhënave, kjo pronë është financuar nga shitja e një trulli dhe nga kursimet familjare.
Kursime dhe të hyra familjare
Sa i përket parasë së gatshme, Aliu ka deklaruar 50,985.57 euro në llogarinë e tij personale bankare, ndërsa në llogaritë e bashkëshortes dhe fëmijëve figurojnë mbi 6 mijë euro.
Të hyrat vjetore të familjes burojnë nga disa burime. Paga vjetore e Agim Aliut si kryetar i Komunës arrin në 16,860 euro. Ai ka deklaruar gjithashtu 941 euro mëditje nga Këshilli i Evropës dhe 761 euro nga Bashkimi Evropian për udhëtime zyrtare.
Bashkëshortja e tij ka deklaruar 7,584 euro të ardhura si mësimdhënëse dhe 1,200 euro si ligjëruese në Kolegjin AAB. Ndërkaq, në deklarim figurojnë edhe 4,200 euro të ardhura nga puna e fëmijës në sektorin privat, si dhe 1,600 euro nga pensioni vjetor i prindit.
Dy vetura dhe pa borxhe
Në kategorinë e pasurisë së luajtshme janë deklaruar dy automjete: një “Volkswagen” i vitit 2015 në vlerë prej 4 mijë eurosh dhe një “Renault” i vitit 2022, në pronësi të bashkëshortes, me vlerë 6,500 euro.
Përveç pozitës si kryetar i Komunës së Ferizajt, Aliu ka deklaruar edhe angazhimet e tij si kryetar i Degës së PDK-së në Ferizaj dhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, duke theksuar se për këto funksione nuk realizon të hyra shtesë.
Sipas regjistrit të deklarimit, ai nuk ka asnjë detyrim financiar aktual ndaj bankave apo institucioneve të tjera.