Një operacion i zhvilluar nga njësitë për hetimin e narkotikëve ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike në rajonin e Ferizajt. Aksioni është realizuar më 17 prill, rreth orës 17:30, në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Babush, pas pranimit të informacioneve operative nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN).
Sipas burimeve, policia kishte dyshime se dy persona po transportonin një sasi marihuane me qëllim shitjeje në Ferizaj. Në bazë të këtyre informacioneve, është ndaluar për kontroll një veturë e tipit “Skoda Superb”, ku ndodheshin Bardh Neziri, rreth 29 vjeç, në cilësinë e drejtuesit të mjetit, dhe Patris Gashi, rreth 31 vjeç, si pasagjer.
Gjatë kontrollit, te pasagjeri është gjetur një qese me marihuanë, ndërsa në pjesën e brendshme të veturës janë zbuluar edhe dy qese të tjera me të njëjtën substancë. Në total janë sekuestruar mbi 244 gram marihuanë.
Në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar 239.8 gram marihuanë, 5 gram marihuanë, dy telefona mobil (iPhone 12 Pro dhe iPhone 13 Pro Max), vetura “Skoda Superb” me dokumentacion përkatës, një çelës veture “Renault”, një pako me letra për mbështjellje të marihuanës, si dhe para në vlerë prej 20 euro.
Të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes dhe janë shoqëruar në ambientet e DHTN-së në Ferizaj. Me urdhër të prokurorit kompetent, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në kuadër të operacionit, policia ka zhvilluar kontrolle edhe në tri lokacione në Prishtinë, por gjatë bastisjeve nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Rasti është iniciuar për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.