15.04.2026
3 mins read

Nga një vit e gjashtë muaj burg për deputetin e VV-së, Egzon Azemi, dhe zëdhënësin e VV-së, Arlind Manxhuka, për nxite të përçarjes

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, dhe zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, janë shpallur fajtorë për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe janë dënuar secili me nga një vit e gjashtë muaj burgim.

Po ashtu, fajtorë janë shpallur edhe Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj për veprën penale “kanosje”, për çka secili është dënuar me nga gjashtë muaj burgim.

Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Kushtrim Shyti, kryetar i kolegjit, si dhe anëtarët Violeta Namani dhe Avi Syla.

Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Në seancën e shpalljes së aktgjykimit ishte i pranishëm Edi Zenelaj, si dhe mbrojtëset Teutë Xhema, avokate e Egzon Azemit, dhe Valentina Shabani, avokate e Arlind Manxhukës. Në anën tjetër, munguan të akuzuarit Egzon Azemi, Arlind Manxhuka dhe Qerim Elshani, si dhe prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit, më 27 tetor 2025, e kishte prishur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 7 marsit 2025. Me atë aktgjykim, Arlind Manxhuka ishte liruar nga akuza, ndërsa Egzon Azemi, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 8 nëntor 2023 ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, nën dyshimin për veprat penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas aktakuzës, Azemi dhe Manxhuka ngarkoheshin për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërsa Elshani dhe Zenelaj për “kanosje”. Prokuroria pretendon se të akuzuarit kishin kanosur gjykatësin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mentor Bajraktari, dhe prokurorin special, Afrim Shefkiu.

Në aktakuzë thuhet se më 28 dhjetor 2022, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi, përmes postimeve në rrjetin social Facebook, kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj Bajraktarit dhe Shefkiut, pasi këta të fundit, në cilësinë e personave zyrtarë, kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Dejan Pantiq.

Sipas përmbajtjes së aktakuzës, Manxhuka kishte shpërndarë një postim me fjalët “Ky aktgjykim është akttradhti”, duke vazhduar më pas edhe me postime të tjera nxitëse, si: “Për kë punon kjo Gjykatë!?”. Ndërkaq, Azemi kishte publikuar një shkrim me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pashë Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, të cilit i kishte bashkëngjitur një fotografi me mbishkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak”.

Prokuroria vlerëson se me këto veprime janë ndërmarrë veprime nxitëse dhe linçuese, me tendencë për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve, duke rrezikuar rendin publik dhe duke cenuar imazhin dhe integritetin e tyre personal.

Për këto veprime, Azemi dhe Manxhuka ngarkoheshin sipas nenit 141, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, menjëherë pas këtyre postimeve, të nxitur nga përmbajtja e tyre, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.

Në aktakuzë thuhet se Elshani kishte komentuar në postimin e Egzon Azemit me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja lshu që mos mi jet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa Zenelaj kishte shkruar grafite në mure me mbishkrimin: “Shtyllë e turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”.

Sipas Prokurorisë, këto veprime u kishin shkaktuar të dëmtuarve ndjenjë ankthi, frike dhe pasigurie për jetën.

Për këtë arsye, Elshani dhe Zenelaj akuzoheshin për veprën penale “kanosje”, sipas nenit 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Ra nga kati i gjashtë në vendin e punës, ky është punëtori që humbi jetën dje në Ferizaj

Next Story

“Kapje” e RTK-së dhe KPM-së? Kusari shpërthen me akuza të rënda ndaj VV-së

Latest from Blog

Go toTop