Një person 36-vjeçar ka humbur jetën në fshatin Godanc i Epërm, në komunën e Shtimes.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se fillimisht autoritetet ishin njoftuar se një person ishte rrëzuar në tokë dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 13 prill 2026, rreth orës 15:15, kur një qytetar ka kërkuar ndihmë për personin në fjalë.
Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore dhe ekipi emergjent nga Shtimja. Megjithatë, pas ekzaminimit nga mjekët, është konstatuar se 36-vjeçari ishte pa shenja jete.
“Me datën 13.04.2026, rreth orës 15:15, kemi pranuar një thirrje nga një qytetar, i cili ka njoftuar se në fshatin Godanc i Epërm – komuna e Shtimes, një person ishte rrëzuar në tokë dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore”, ka deklaruar Veseli.
Ai bëri të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.