Disa banorë të lagjes “Dardania” në Prishtinë kanë raportuar se kanë pranuar letra me përmbajtje kërcënuese, të cilat i kanë gjetur para dyerve të shtëpive të tyre.
Sipas pretendimeve të banorëve, në këto letra u kërkohet që të lirojnë pronat në afërsi të zonës ku po ndërtohet Xhamia e Madhe. Në përmbajtjen e tyre thuhet se bëhet fjalë për “paralajmërimin e dytë”, ndërsa paralajmërohet se herën e tretë do të pasojnë “vepra”.
Në letrën kërcënuese përmendet edhe fjalia: “Mos i kundërshtoni urdhrat, përndryshe do të keni pasoja të rënda në familje”.
Gazeta online Reporteri.net ka raportuar se letra të tilla janë lënë në katër shtëpi në afërsi të zonës ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e xhamisë.
Banorët e kanë paraqitur rastin në Polici, ndërsa organet e rendit kanë nisur trajtimin e tij.
