Në Hagë ka nisur seanca në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, ku mbrojtja po jep deklaratat përmbyllëse. Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, e hapi fjalën e tij duke theksuar se klienti i tij duhet të konsiderohet i pafajshëm. “Së pari, më lejoni ta them qartë: Hashim Thaçi është i pafajshëm. Kjo duhet të jetë pikënisja juaj kur të filloni shqyrtimin për vendimin. Në këtë fazë, ai është i pafajshëm sepse ligji kërkon që ju ta prezumoni si të tillë”, tha Mishetiq, duke shtuar se shpesh ky parim keqkuptohet edhe në gjykimet penale ndërkombëtare. Ai theksoi se para trupit gjykues janë “katër burra” që, sipas ligjit, duhet të trajtohen si të pafajshëm, ndërsa procesi është zhvilluar sepse Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka pretenduar se ka prova për fajësinë e tyre. Sipas Mishetiq, gjykimi nuk ka për qëllim të bëjë “shqyrtim të jetës” së Thaçit, por të vlerësojë nëse ZPS ka arritur ta rrëzojë prezumimin e pafajësisë përmes provave. Ai tha se trupi gjykues duhet të nisë nga prezumimi i pafajësisë dhe vetëm nëse provat e ZPS-së bindin përtej dyshimit të arsyeshëm, atëherë mund të arrihet në një konkluzion fajësie. “Nëse ZPS nuk ju bind, atëherë do të ketë të paktën një shpjegim të arsyeshëm të provave që përjashton fajësinë, dhe ju duhet të konstatoni se prokuroria ka dështuar për akuzat e saj, duke nxjerrë një aktgjykim shfajësues”, deklaroi Mishetiq në hyrje të fjalës së tij përmbyllëse.
Në Hagë, mbrojtja e Thaçit deklaron pafajësinë e tij