Prishtinë, 13 janar 2026 — Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën fillestare për rastin e rezervave shtetërore, për të cilin ajo akuzohet.
Mbrojtja ngre shqetësime për dokumente të klasifikuara dhe kërkon sqarim për certifikatat e sigurisë; Prokuroria Speciale e akuzon për keqpërdorim detyre dhe dëm rreth 3 milionë euro.
Seanca është zhvilluar pa praninë e publikut, pas vendimit të gjyqtarit të çështjes, Avni Syla. Sipas arsyetimit, në lëndë përfshihen materiale të ndjeshme që lidhen me informacione të klasifikuara.
Në sallë, mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur shqetësimin se dosja e Prokurorisë përmban dokumente që kërkojnë certifikatë sigurie për t’u shqyrtuar. Avokatët kanë kërkuar që procedura të mos vazhdojë pa u sqaruar statusi i këtyre dokumenteve dhe pa u ndërmarrë hapat për deklasifikim.
Aktakuza është ngritur nga Prokuroria Speciale më 11 nëntor 2025, pas hetimeve që, sipas prokurorisë, kanë zgjatur mbi tre vjet. Sipas aktakuzës, Hajdari, së bashku me dy zyrtarë të MINT-it, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, dyshohet se gjatë vitit 2022 kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm financiar rreth 3 milionë euro.
Gjatë hetimeve, në media u publikuan audio-incizime ku pretendohej se një sasi vaji e blerë në Poloni dhe një sasi gruri e blerë në Turqi nuk kishin arritur kurrë në Kosovë. Pas publikimit të këtyre incizimeve, prokuroria kishte zhvilluar bastisje në zyrën e ministres dhe, në përmbyllje të hetimeve, kishte konstatuar se mallrat e kontraktuara jashtë vendit nuk kishin mbërritur.
Hajdari e ka mohuar aktakuzën, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht. Ajo ka deklaruar se blerjet janë bërë në përputhje me ligjin, por pa dhënë hollësi, duke theksuar se informacionet për rezervat janë sekret shtetëror. Më herët, ajo kishte akuzuar policinë se gjatë bastisjeve ka marrë si prova edhe dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
“Përkundër që unë ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është proces tendencioz nga Prokuroria Speciale e Kosovës, duke shkelur çdo procedurë ligjore, duke qenë në kundërshtim me ligjin për rezervat shtetërore dhe ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar ka iniciuar këtë aktakuzë ndaj meje”, ka deklaruar ajo para mediave.
Gjithashtu, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kur është pyetur për rastin e Rozeta Hajdarit, ka deklaruar se nuk ka keqpërdorim të detyrës nga Hajdari, po ashtu ai tha se mban përgjegjësi për rastin. /Guxo.info/