Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka reaguar pas deklaratave të disa ambasadorëve të cilët shprehën shqetësim për moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme.
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi tha se vëmendja e diplomacisë ndërkombëtare duhet të fokusohet jo te procedurat teknike, por te ajo që ai e quan “ngulfatje e të drejtës demokratike dhe pjesëmarrjes politike të komunitetit serb nga vet Lista Serbe”.
Ai akuzoi Listën Serbe se, përveç përfshirjes në veprime kriminale dhe sulme kundër rendit kushtetues, kontrollon financat e ardhura nga Beogradi dhe i përdor për presion ndaj qytetarëve serbë në Kosovë dhe për financimin e grupeve që, sipas tij, kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe pjesëtarë të KFOR-it.
“Shqetësimi i vërtetë do të duhej të ishte pikërisht ngulfatja e pjesëmarrjes politike të komunitetit serb nga Lista Serbe, e cila menaxhon financat e Vuçiqit në Kosovë, shantazhon qytetarët dhe financon kriminelë që kanë sulmuar jo vetëm policinë tonë, por edhe forcat e KFOR-it – bashkëkombasit tuaj”, shkroi Krasniqi.
Ai kritikoi gjithashtu heshtjen e ambasadorëve për, siç tha ai, bllokimin që opozita së bashku me Listën Serbe po i bëjnë të drejtës së mërgatës për të votuar. Sipas tij, kjo përbën një pengesë serioze për procesin demokratik.
Krasniqi u bëri thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të vëzhgojnë nga afër këto zhvillime dhe të reagojnë ndaj çdo ndikimi të jashtëm apo shkeljeje të të drejtave demokratike në procesin zgjedhor të Kosovës.