Bashkimi Europian ka reaguar ashpër ndaj shkeljeve të vazhdueshme të hapësirës ajrore të Moldavisë nga dronët rusë, duke i cilësuar ato si rrezikuese për sigurinë civile dhe të papranueshme në kontekstin aktual të tensioneve rajonale.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, theksoi se incidentet jo vetëm shkelin sovranitetin e Moldavisë, por vendosin në rrezik edhe trafikun ajror civil. Ajo njoftoi se BE-ja po investon 20 milionë euro në sistemet e mbrojtjes ajrore të Moldavisë për të rritur kapacitetet e sigurisë së vendit.
“Shkeljet e hapësirës ajrore të Moldavisë nga dronët rusë janë të papranueshme dhe rrezikojnë trafikun civil. Qielli i Moldavisë nuk mund të bëhet viktimë e luftës së Rusisë,” deklaroi Kallas.
Reagimi i BE-së vjen pasi Moldavia u detyrua të mbyllte për rreth një orë hapësirën e saj ajrore mbrëmjen e kaluar, pas një tjetër depërtimi të dronëve nga drejtimi i konfliktit në Ukrainë. Raste të tilla janë shpeshtuar që prej pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Vetëm këtë javë, autoritetet moldave raportuan rrëzimin e një droni brenda territorit të tyre, ndërsa gjashtë të tjerë kanë kaluar kufirin ajror të vendit brenda pak ditësh. Institucionet në Kishinau, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, po shqyrtojnë masa të reja për forcimin e mbrojtjes ajrore dhe për garantimin e sigurisë së popullsisë dhe infrastrukturës civile.