Shkrimtari dhe profesori universitar Ag Apolloni ka reaguar ashpër ndaj gjendjes në Universitetin e Prishtinës (UP), duke kritikuar kriteret për publikimet shkencore, drejtuesit e universitetit dhe institucionet shtetërore.
Shkrimi i Ag Apolloni-t në facebook:
Sot, në gazetën Koha ditore, lexova një shkrim me titullin “Publikimet shkencore të studiuesve kosovarë në Scopus, si kontribut i Serbisë”, ku del se rektori aktual, nga nevoja për publikim në Scopus, ka zgjedhur opsionin Serbia, meqë Kosova mungon. Pra, publikon dhe i çon pikë Serbisë.
Kjo është diçka që duhet të trajtohet seriozisht në Ministri të Arsimit dhe në Kuvend të Kosovës. Të rimerret Statuti (apo Kanuni) i fundit i UP-së, të rishqyrtohet, pastaj të votohet. Ai statut të detyron të botosh në platforma që s’ta njohin shtetin. Pra, deputetët e Republikës së Kosovës kanë votuar diçka që të detyron të deklarohesh serb. Unë e kam kundërshtuar nga fillimi atë budallaki universitare, ministrore dhe parlamentare. Por, tash që Troja ra (përderisa vetë rektori shfaqet si autor i Serbisë, pa faj të tij, sigurisht), do të duhej t’i vinin gishtin kokës ata deputetë që i paguajmë për punën që s’e bëjnë dhe për mendtë që s’i kanë.
Ndryshojeni statutin! Hiqni ato kritere idioteske për publikim! Në disa indikatorë (matës) ndërkombëtarë, Kosova rezulton në vendin dy mijë e kusur, kurse në renditjen globale QS World University Rankings, nuk rezulton fare. Përderisa nuk jemi fare pjesë e garës aty ku vërtet bëhet gara, le t’i përvjelim mëngët e të punojmë seriozisht, duke i përmbushur kriteret që kërkon QS World University Rankings, që vlerëson më shumë reputacionin akademik sesa publikimin në Scopus. Problemi me UP-në nuk është publikimi, por reputacioni. Është mbushur universiteti me njerëz që s’i njeh as mahalla, jo më bota. Në shumicën e universiteteve të rëndësishme të botës, në të cilat kam pasur fatin të shkoj, së pari vlerësojnë profilin, pastaj vijnë kriteret e tjera.
Zgjohu, o rektor, e mos boto gjithkund!
Zgjohu ministër, se ke përgjegjësi!
Zgjohu, kryeministër, se i thua vetes (e të thonë edhe disa të tjerë) patriot! Dil e matu me QS World University Rankings, jo me platforma të pazarit!
Çlirojeni UP-në nga Serbia dhe nga shërbyesit shqiptarë të saj! Jepni shpresë këtij vendi dhe kësaj shoqërie! S’mund të them që e keni degraduar arsimin, sepse ata para jush ishin më të zotë se ju në këtë punë, por ju s’jeni kujtuar as për t’ia dhënë ndihmën e parë kësaj ‘qenie’ në agoni. Si ai që e plagos dikë, si ai që, ka mundësi e s’i ofron ndihmë të plagosurit, janë njësoj fajtor në rast se viktima vdes. UP-ja është viktimë e politikës. S’po them që ka vdekur, por po shihet se i ka ditët e numëruara.