Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Francë, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, si dhe në darkën shtetërore të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka udhëtuar drejt Francës të shtunën, më 7 nëntor, ndërsa gjatë vizitës pritet të zhvillojë takime dypalëshe me liderë ndërkombëtarë, zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të shteteve e institucioneve të ndryshme.
Në agjendën e tij përfshihen gjithashtu takime me personalitete nga fusha e arsimit, akademisë, artit dhe kulturës.
Edicioni i nëntë i Forumit të Paqes në Paris do të zhvillohet më 10 dhe 11 nëntor, duke mbledhur përfaqësues ndërkombëtarë për të diskutuar çështje që lidhen me gjeopolitikën, teknologjitë e reja, zhvillimin dhe sfidat globale.
Ndërkohë, më 9 nëntor, Kurti është paraparë të zhvillojë edhe një bashkëbisedim me studentët në universitetin Sciences Po në Paris.