Inspektorati i Mjedisit ka shqiptuar gjobë prej 5 mijë eurosh ndaj Komunës së Prishtinës për mosrespektimin e detyrimeve ligjore lidhur me menaxhimin e mbeturinave vëllimore dhe deponive të dheut.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, sipas së cilës, gjatë inspektimit në deponinë e dheut të ndërmarrjes publike lokale “Gjelbër” dhe në hapësirat përreth janë evidentuar mbeturina vëllimore të hedhura jashtë zonës së lejuar.
Pacolli ka deklaruar se Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për zgjidhjen e problemit, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura.
Ajo ka kërkuar përgjegjësi institucionale në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se “Ligji vlen për të gjithë njësoj!”