Një 25-vjeçar është ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për posedim të substancave narkotike, gjatë kohës kur po zhvillohej ndeshja e futbollit ndërmjet FC Malishevës dhe FC Vushtrrisë.
Sipas informacioneve të publikuara nga Sinjali, incidenti ka ndodhur më 18 tetor, rreth orës 14:30, në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë.
Gjatë patrullimit në terren, zyrtarët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë nga Gjakova kanë vërejtur një të ri, i cili dyshohej se po konsumonte substancë narkotike.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet R.H raportohet se ka hedhur substancën e dyshuar narkotike, marihuanë, menjëherë pasi ka vërejtur praninë e policëve.
Pas ndalimit, 25-vjeçari, sipas informacioneve fillestare, ka pranuar para zyrtarëve policorë se është përdorues i substancave narkotike.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës penale për veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Pas përfundimit të procedurave fillestare policore, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.