02.10.2026
1 min read

Blerim Isufaj shkarkohet nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Screenshot

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka votuar për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Vendimi është marrë me gjashtë vota për dhe një kundër, pas diskutimeve në KPK lidhur me performancën dhe efikasitetin e Prokurorisë Speciale.

Një ditë më parë, më 1 tetor, KPK kishte diskutuar raportin krahasues për efikasitetin e prokurorive në zgjidhjen e lëndëve gjatë periudhës 2023–2025. Sipas raportit të diskutuar, Prokuroria Speciale ishte renditur ndër prokuroritë me efikasitetin më të ulët, çështje që kishte nxitur edhe kundërshtime nga anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi.

Vendimi për Isufajn është marrë në të njëjtën ditë kur Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte kërkuar nga KPK-ja që të mos ndërmerrte vendime të ngutshme lidhur me pozitën e kryeprokurorit të PSRK-së.

IKD kishte paralajmëruar se llogaridhënia nuk duhet të shërbejë si arsyetim për procedura të shpejta dhe të paqarta, duke theksuar rëndësinë e Prokurorisë Speciale në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe transnacional.

Instituti kishte rikujtuar edhe rastin e Besim Kelmendit, i cili ishte shkarkuar në fund të vitit 2025 nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas IKD-së, Gjykata Supreme më pas e kishte anuluar atë vendim si të kundërligjshëm.

IKD kërkoi që vlerësimi i performancës së kryeprokurorit të PSRK-së të jetë profesional, i paanshëm dhe i bazuar në indikatorë të matshëm, si dhe që çdo vendim të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe praktikën gjyqësore.

Pavarësisht paralajmërimeve të IKD-së, pas takimit të jashtëzakonshëm KPK-ja votoi për shkarkimin e Blerim Isufajt nga drejtimi i Prokurorisë Speciale.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Putin lavdëron Serbinë për refuzimin e sanksioneve ndaj Rusisë: Shpreson që Vuçiq të rikthehet si kryeministër

Next Story

KPK-ja liston arsyet për shkarkimin e Blerim Isufajt

Latest from Blog

Go toTop