Presidenti rus Vladimir Putin ka vlerësuar qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë, veçanërisht vendimin e Beogradit për të mos iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Në të njëjtën kohë, ai ka shprehur shpresën që Aleksandar Vuçiq të rikthehet në pushtet si kryeministër i Serbisë.
Duke folur në seancën plenare të klubit ndërkombëtar të diskutimeve “Valday”, Putin tha se Moska e vlerëson atë që e përshkroi si qëndrim “të përmbajtur” të Beogradit në çështjet që lidhen me Rusinë.
“Ne mirëpresim qëndrimin shumë të përmbajtur të Serbisë në një numër çështjesh kyçe dhe shumë të ndjeshme, si dhe refuzimin e saj për të marrë vendime që nënkuptojnë vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë”, deklaroi Putin.
Presidenti rus iu referua edhe drejtpërdrejt Aleksandar Vuçiqit, duke shprehur shpresën për rikthimin e tij në një post të lartë politik në Serbi.
“Udhëheqja aktuale e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deri vonë ishte president dhe, shpresoj, do të jetë kryeministër në të ardhmen, ndjek një politikë të përmbajtur dhe tregon dëshirë për bashkëpunim me Rusinë. Ne sigurisht që e mirëpresim këtë dhe do t’i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, tha ai.
Putin foli gjithashtu për marrëdhëniet e serbëve me Perëndimin, duke kritikuar atë që e konsideroi si trajtim “të padrejtë dhe asimetrik” ndaj popullit serb gjatë dekadave të fundit.
“Personalisht, për mua është absolutisht e paqartë pse Perëndimi kolektiv e ka trajtuar popullin serb në mënyrë kaq të padrejtë dhe asimetrike gjatë dekadave të fundit”, u shpreh presidenti rus.
Në këtë kontekst, Putin përmendi edhe Bosnjë e Hercegovinën dhe Marrëveshjen e Dejtonit, duke iu referuar takimit të fundit me presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik.
“Ditën tjetër u takova me Milorad Dodikun. Ata e formuluan vetë Marrëveshjen e Dejtonit dhe tani askush nuk dëshiron ta zbatojë atë, ndërsa në raste të tjera u imponojnë disa zgjidhje serbëve”, tha Putin.
Sipas tij, serbët janë “një popull i ndarë në Evropë”, gjë që ai e cilësoi si pasojë të një ndarjeje të imponuar.
“Serbët janë bërë një popull i ndarë në Evropë – dhe të ndarë me forcë. Është e padrejtë. Dhe kjo është keq, sepse çdo padrejtësi çon në ndërlikime dhe konflikte”, deklaroi ai.
Komentet e Putinit vijnë në një kohë kur Vuçiq po synon rikthimin në pushtet përmes postit të kryeministrit, pasi ka lënë detyrën e presidentit të Serbisë.
Ndërkohë, Moska vazhdon të vlerësojë vendimin e Beogradit për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë. Serbia, nga ana tjetër, vazhdon të deklarojë se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga objektivat e saj kryesore të politikës së jashtme.