Një incident i rëndë me armë zjarri është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Ferizaj, ku një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur në një parking në rrugën “12 Qershori”.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, rreth orës 03:40, Emergjenca në Ferizaj ka njoftuar se F.J, 20 vjeç, ishte paraqitur për trajtim mjekësor me plagë nga arma e zjarrit.
Fillimisht, rrethanat në të cilat kishte ndodhur plagosja nuk kanë qenë të qarta.
Një punëtor i parkingut ka deklaruar se pak minuta para incidentit kishte parë katër persona duke hyrë në objekt, ndërsa më pas kishte dëgjuar një krismë.
Njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në afërsi është gjetur një çantë, brenda së cilës ndodhej një armë që dyshohet se lidhet me rastin.
Kamerat japin një tjetër version të ngjarjes
Video-incizimet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar në sqarimin e rrethanave të plagosjes.
Sipas informacioneve, në pamje 20-vjeçari shihet duke lëvizur nëpër parking me një çantë krahu të vendosur në pjesën e gjoksit. Në një moment, ai rrëshqet dhe bie në tokë.
Dyshohet se gjatë përplasjes me tokën arma që ndodhej brenda çantës ka shkrepur, ndërsa predha e ka goditur të riun në këmbën e majtë.
Ky version është mbështetur edhe nga deklarimi i vëllait të tij. Sipas tij, para incidentit kishin qenë së bashku me dy persona të tjerë në disa lokale në qytet, ku kishin konsumuar alkool, e më pas kishin shkuar në parkingun ku i kishin veturat.
Gjendet armë TT dhe substancë e dyshuar narkotike
Burimet bëjnë me dije se arma e gjetur është e tipit TT.
Gjatë ekzaminimit të çantës, përveç armës, është gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike, e llojit marihuanë.
20-vjeçari fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Ferizaj, ndërsa më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Sipas informacioneve të mëvonshme nga mjekët, predha ka prekur arterien kryesore të këmbës së majtë dhe gjendja e tij është vlerësuar e rëndë.
Lidhur me rastin janë iniciuar procedura për veprat “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Vetëlëndim”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.
