Profesori spanjoll i së Drejtës Kushtetuese, Joaquín Urías, ka kritikuar vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke ngritur pikëpyetje mbi ashpërsinë e dënimit dhe kontekstin në të cilin është marrë vendimi.
Në një shkrim autorial kushtuar vendimit të Hagës, Urías ka pretenduar se komuniteti ndërkombëtar e ka ndëshkuar Thaçin më ashpër sesa organizatorët serbë të asaj që ai e cilëson si përpjekje për gjenocid në Kosovë.
Sipas profesorit spanjoll, vendimi është i vështirë për t’u mbështetur dhe, në vlerësimin e tij, ngre pikëpyetje për ndikimin e konsideratave politike në drejtësinë ndërkombëtare.
“Komuniteti ndërkombëtar e ka ndëshkuar Thaçin me një dënim më të ashpër se çdo organizator i përpjekjes për gjenocid serb”, ka shkruar Urías.
Ai ka argumentuar gjithashtu se vendimi duket se lidhet me llogaritje politike mbi mënyrën se si duhet të zhvillohet shoqëria kosovare, duke ngritur dilemën për raportin ndërmjet ligjit, politikës dhe etikës në konfliktet e mëdha ndërkombëtare.
Profesori spanjoll ka vënë theks të veçantë edhe te konteksti historik i luftës në Kosovë. Sipas tij, veprimet për të cilat Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së janë gjykuar duhet të analizohen duke marrë parasysh rrethanat në të cilat zhvillohej konflikti.
“Krimet e luftës që i atribuohen Thaçit u kryen në kontekstin e përgjigjes guerile kundër spastrimit etnik”, ka shkruar Urías.
Në argumentimin e tij, Urías bën dallim ndërmjet shkallës dhe kontekstit të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe veprave për të cilat Dhomat e Specializuara kanë mbajtur përgjegjës Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së.
Për profesorin spanjoll, pikërisht konteksti i konfliktit dhe spastrimit etnik është element thelbësor që duhet marrë parasysh kur analizohet juridikisht dhe moralisht rasti i ish-krerëve të UÇK-së.