Hetimet lidhur me sulmin ndaj Driton Nuhës, i cili mbeti i lënduar mbrëmjen e 21 shtatorit në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, kanë çuar në identifikimin dhe ndalimin e një personi të dyshuar.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Hazir Llabjanin, 37-vjeçar, i cili është ndaluar më 22 shtator, gjatë vazhdimit të veprimeve hetimore lidhur me rastin.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, hetuesit janë rikthyer në vendin e ngjarjes, ku kanë siguruar pamjet e kamerave të sigurisë. Pas analizimit të video-incizimeve dhe veprimeve të tjera hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe sigurimi i prezencës së të dyshuarit.
Llabjani është intervistuar me autorizim të Prokurorit të Shtetit. Ai ka pranuar të deklarohet dhe ka dhënë versionin e tij lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Pas përfundimit të intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 37-vjeçari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në kuadër të Stacionit Policor në Ferizaj.
Rasti është duke u hetuar nën dyshimin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa veprimet hetimore pritet të vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Driton Nuha ishte lënduar mbrëmjen e 21 shtatorit, në një incident të ndodhur në magjistralen Ferizaj–Prishtinë. Hetimet e nisura pas raportimit të rastit kanë vazhduar edhe ditën pasuese, duke çuar në ndalimin e të dyshuarit.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.