Ka dështuar edhe seanca e dytë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Ferizajt për diskutimin e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA) për ndërtimet e larta, pasi thirrjes së kuvendarëve opozitarë të LVV-së dhe LDK-së i janë përgjigjur vetëm 20 prej 41 anëtarëve të organit më të lartë të qeverisjes lokale.
Kryesuesi Xhavit Zariqi ka pritur pesëmbëdhjetë minuta, por në sallë nuk janë shfaqur kuvendarët e koalicionit PDK-Aleancë, “Ne mundemi” dhe asamblistja e vetme e Nismës.
Opozita ka kërkuar për herë të dytë që Kuvendit t’i drejtohen kryetari Agim Aliu, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit dhe Inspektorati Komunal për adresimin e gjetjeve të raportit “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Ferizaj”, të publikuar më 28.08.2026. Auditorët e ZKA-së shkruajnë se dhënia e lejeve ndërtimore është shoqëruar me kritere të ndryshme, “duke lejuar tejkalim të koeficientit të ndërtimit, trajtim jo të barabartë të investitorëve dhe lëshim të lejeve pa dokumentacion teknik të plotë”- shkruhet ndër të tjera në raport.
Komuna e Ferizajt akuzon nivelin qendror se për qëllime politike ia bllokoi aprovimin e hartave zonale dhe dokumenteve të tjera urbanistike, duke e detyruar t’i jepte lejet me Ligjin për Ndërtim. Aliu është pajtuar “pjesërisht” me gjetjet e raportit të ZKA-së.
Seanca e parë ishte thirrur nga opozita për të njëjtën çështje më 08.09.2026, por kishte dështuar në mungesë kuorumi, derisa thirrjes për raportim i ishte përgjigjur vetëm drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit, Arbër Bytyçi. Seanca e dytë e jashtëzakonshme, e thirrur për 17.09.2026, ishte shtyrë për sot (22.09.2026)me kërkesë të LVV-së dhe LDK-së në shenjë solidarizimi me familjet e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të dënuar më 16.09.2026 nga Dhomat e Specializuara në Hagë me 81 vjet burgim për krime lufte.
“Edhe sot, seanca e jashtëzakonshme për raportin e Auditorit nuk u mbajt. Pozita nuk erdhi në seancë. As kryetari Agim Aliu”- ka thënë Visar Azemi, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin Komunal, njëherësh kryetar i Degës së LDK-së në Ferizaj. “Por mungesa në Kuvend nuk e zhduk raportin e Auditorit dhe as gjetjet e tij. Kaosi urbanistik në Ferizaj ka adresë. Ka raport zyrtar. Ka gjetje konkrete. Dhe për qeverisjen e Komunës, përgjegjësia politike bie mbi kryetarin”.
Edhe shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Brahim Osmani, ka thënë pas dështimit të seancës se kryetari Aliu dhe qeverisja e tij duhej t’i raportonin Kuvendit Komunal.
“Por sot, në seancën e jashtëzakonshme, Agim Aliu dhe asamblistët e tij zgjodhën të mungojnë”, ka thënë Osmani. “Mungesa nuk e mbyll debatin. Përkundrazi, e bën edhe më të nevojshme transparencën dhe përgjegjësinë”- ka shtuar ai.
Pushteti e ka futur si pikë të veçantë diskutimin e raportit për ndërtimet e larta në seancën e rregullt të 30.09.2026. Kuvendarët e LVV-së, LDK-së, dy kuvendaret e pavarura, Hatixhe Bungu Qazimi e Flora Islami, si dhe Habib Krosa nga “Ne Mundemi” në koalicion me pushtetin, e kanë nënshkruar e dorëzuar përsëri kërkesën në Kuvend për seancë të jashtëzakonshme vetëm për ndërtimet e larta para mbajtjes së seancës së rregullt. /Kallxo.com/
“Pushteti i Agim Aliut duhet të tregojë se si janë dhënë lejet, si janë lejuar tejkalimet dhe kush do të mbajë përgjegjësi”- ka thënë Azemi. “Nga seanca mund të ikni. Nga përgjegjësia jo”.
