Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës.
Në një deklaratë të bërë nga paraburgimi, Veliaj është shprehur se vendimi i dhënë në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka tronditur thellë. Megjithatë, ai ka theksuar se procesi juridik duhet të vazhdojë sipas procedurave dhe standardeve të drejtësisë.
Sipas Veliajt, propozimi për t’i nderuar Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin nuk synon të ndërhyjë në procesin gjyqësor apo të zëvendësojë drejtësinë me politikën. Ai e ka paraqitur nismën si shprehje të mirënjohjes së Tiranës për kontributin që, sipas tij, katër ish-krerët e UÇK-së kanë dhënë në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
Veliaj ka deklaruar se Tirana nuk mund t’ua japë lirinë katër ish-krerëve të UÇK-së, por mund t’i nderojë ata për rolin e tyre historik.
Kryebashkiaku i Tiranës u ka bërë thirrje gjithashtu kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare që të shqyrtojnë ndërmarrjen e nismave të ngjashme.
Sipas tij, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk janë pjesë vetëm e historisë së Kosovës, por edhe e historisë më të gjerë shqiptare. Veliaj ka thënë se përmes këtyre nismave synohet t’u përcillet një mesazh solidariteti familjeve të tyre dhe qytetarëve të Kosovës.
Në deklaratë, Veliaj ka folur edhe për situatën e tij personale, duke thënë se ndodhet prej 19 muajsh në izolim. Megjithatë, ai e ka paraqitur çështjen e Kosovës dhe kujtesën e luftës së saj si më të mëdha se situata e tij personale. (RTSH)
Në fund, Veliaj ka theksuar se procesi juridik ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë rrugën e tij, ndërsa, sipas tij, paralelisht duhet të ruhet edhe kujtesa për represionin, dëbimet, viktimat dhe kontributin e atyre që morën përgjegjësi gjatë luftës dhe më pas në ndërtimin e shtetit të Kosovës.