Meriton Sejdia, Bashkim Hamidi dhe Premtim Hamidi, janë tre personat që dyshohen se penguan dhe sulmuan zyrtarët policorë gjatë një ndërhyrjeje në Ferizaj,
Sipas burimeve, incidenti ndodhi mbrëmjen e së premtes në rrugën “Gavrill Dara”, ku Policia kishte dalë për të trajtuar një rast të raportuar si “Kanosje”.
Gjatë tentativës për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, situata ka eskaluar dhe disa persona dyshohet se kanë penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare.
Sipas burimeve, Meriton Sejdia dyshohet se ka penguar aktivisht arrestimin e Premtim Hamidit, ndërsa gjatë përleshjes janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Burimet bëjnë të ditur se Bashkim Hamidi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor, duke e goditur me grusht në gjoks dhe duke i dëmtuar uniformën, si dhe e ka kanosur me fjalë serioze kërcënuese.
Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë pajisur me raporte mjekësore.
Për shkak të rezistencës së hasur, policët janë detyruar të përdorin forcën e nevojshme dhe sprejin OC për ta vënë situatën nën kontroll.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Pengim ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.