Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 26 majit në Ferizaj, ku një grua është gjetur pa shenja jete pranë një objekti banesor.
Sipas burimeve të portalit Sinjali, viktima dyshohet të jetë N.R. Rasti është raportuar rreth orës 18:45 në rrugën “Halim Spahija”, pasi Policia ishte njoftuar se prapa një ndërtese banimi ndodhej një grua e shtrirë në tokë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, ekipi i emergjencës, hetuesit dhe forenzika. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendngjarje.
Fillimisht, sipas raportit mjekësor, dyshohej për arrest kardiak, por pas ekzaminimeve të mëtejshme janë vërejtur dëmtime dhe thyerje të shumta në trupin e viktimës, çka ka ngritur dyshime se ajo mund të ketë rënë nga lartësia.
Gjatë kontrollit të objektit banesor, në katin e nëntë, pranë një dritareje, janë gjetur një karrige dhe një palë mbathje, rrethana që po hetohen nga organet kompetente.
Në vendngjarje ka dalë edhe prokurori kujdestar për krime të rënda, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Rasti është duke u hetuar, ndërsa rrethanat e vdekjes pritet të sqarohen pas përfundimit të ekspertizave.
Burimi: Sinjali