Recituesit të njohur të Kuranit nga Kosova, Hafiz Egzon Ibrahimi, raportohet se i është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi është ndaluar nga autoritetet amerikane të emigracionit në aeroportin e Bostonit.
Sipas raportimit të “Ma Shqip”, Ibrahimi kishte udhëtuar drejt SHBA-së për një tur fetar në disa qendra islame, ndërsa në pasaportë posedonte vizë të vlefshme amerikane, të lëshuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
Burime pranë emigracionit në Boston kanë bërë të ditur se 24-vjeçari nga Kosova është marrë në pyetje nga oficerët kufitarë dhe më pas i është refuzuar hyrja në territorin amerikan. Deri më tani nuk është bërë e ditur arsyeja zyrtare e këtij vendimi.
Lajmi është konfirmuar edhe nga “Al Huda Community Center” në Chelsea të Bostonit, qendra islame që e kishte ftuar Ibrahimin për aktivitetin e planifikuar. Fillimisht, qendra njoftoi se ai “nuk ishte lejuar të hynte në SHBA, pavarësisht vizës së vlefshme”, duke bërë të ditur anulimin e turit.
Megjithatë, disa orë më vonë, postimi është edituar dhe formulimi është zbutur. Në njoftimin e ri thuhej se turi i Qari Egzonit është shtyrë “për shkak të rrethanave të paparashikuara” dhe se datat e reja do të caktohen më vonë.
“Al Huda Society” funksionon si xhami, shkollë fetare dhe qendër komunitare për myslimanët në zonën e Bostonit, ku prej vitesh organizohen ligjërata, mësime fetare dhe aktivitete për të rinjtë.
Deri më tani, as autoritetet amerikane dhe as vetë Egzon Ibrahimi nuk kanë reaguar publikisht për rastin.
Egzon Ibrahimi është bërë i njohur për recitimin e Kuranit dhe pjesëmarrjen në aktivitete fetare ndërkombëtare. Ai po ashtu interpreton ilahi në gjuhën shqipe dhe është ndjekur gjerësisht në rrjetet sociale.