Një mjek dhe një punëtore shëndetësore janë sulmuar sot nga qentë endacakë brenda hapësirave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Rastin e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Emergjencës, Naser Syla, i cili ka bërë të ditur se gjendja e të lënduarve është stabile.
Sipas tij, njëri nga të sulmuarit është mjek në Klinikën e Pediatrisë, ndërsa tjetra është punëtore shëndetësore në Klinikën e Ortopedisë. Të dy kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas janë liruar për në shtëpi.
Pas situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë brenda kampusit të QKUK-së, ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, ka iniciuar formimin e një shtabi emergjent.
Ky rast vjen pas sulmit ndaj një 15-vjeçareje më 28 prill 2026, e cila kishte kërkuar trajtim mjekësor për shkak të plagëve të shkaktuara nga qentë endacakë.