Policia ka zhvilluar një operacion të organizuar nga njësia për hetimin e narkotikëve, i cili ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për shpërndarje të drogës.
Rasti ka ndodhur më 17 prill, rreth orës 17:30, në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Babush.
Sipas informatave, njësia për hetimin e narkotikëve në Ferizaj kishte siguruar të dhëna operative se dy persona po transportonin një sasi marihuane me qëllim shitjeje në Ferizaj.
Gjatë operacionit, policia ka ndaluar për kontroll një veturë të tipit Skoda Superb, me targa 01-162-UO. Në automjet ndodheshin Bardh Neziri, rreth 29 vjeç, në cilësinë e drejtuesit, si dhe Patris Gashi, rreth 31 vjeç, në cilësinë e pasagjerit.
Gjatë kontrollit, te pasagjeri është gjetur një qese me marihuanë, ndërsa në veturë, pranë këmbëve të tij, janë zbuluar edhe dy qese të tjera me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Në total, janë sekuestruar mbi 244 gram marihuanë.
Si prova materiale, policia ka konfiskuar 239.8 gram marihuanë, 5 gram marihuanë, dy telefona mobilë, një iPhone 12 Pro dhe një iPhone 13 Pro Max, një veturë Skoda Superb me dokumentacion përkatës, një çelës veture Renault, një pako me letra për mbështjelljen e marihuanës, si dhe 20 euro para të gatshme.
Të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes dhe më pas janë shoqëruar në zyrat e njësisë për hetimin e narkotikëve në Ferizaj.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në kuadër të vazhdimit të operacionit, policia ka kryer kontrolle edhe në tri lokacione në Prishtinë, por gjatë bastisjeve nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.