Zbardhet rasti i vjedhjes në një objekt fetar në Ferizaj, ku një person dyshohet se kishte hyrë gjatë natës dhe kishte marrë para nga arka e bamirësisë.
Ngjarja kishte ndodhur më 12 prill rreth orës 03:00 në Xhaminë e fshatit Mirashë.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari Jeton Hashani, rreth 33-vjeçar, i maskuar, kishte depërtuar brenda objektit fetar dhe kishte vjedhur “Arkën e Bamirësisë”, në të cilën ndodheshin rreth 50 euro.
E gjithë ngjarja ishte kapur nga kamerat e sigurisë, por gjatë largimit, i dyshuari kishte dëmtuar kamerat, duke shkaktuar dëme shtesë rreth 120 euro, me qëllim të zhdukjes së provave.
Pas hetimeve intensive, njësia e hetimeve në Ferizaj më 16 prill ka arritur ta identifikojë dhe ta arrestojë të dyshuarin.
Gjatë intervistimit në prani të avokatit dhe me autorizim të prokurorit kujdestar, i dyshuari ka pranuar se kishte kryer vjedhjen.
Sinjali mëson se ndaj tij ekziston edhe një urdhër-arrest nga Gjykata e Lipjanit.
Me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në ndalim për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.