Kusari ngre dyshime për procesin e përzgjedhjes në RTK dhe KPM: Deputetë të VV-së u takuan me kandidatë në kafiteri
Juristja e medias, Flutura Kusari, ka publikuar detaje të reja lidhur me procesin e emërimit të anëtarëve të bordeve në RTK dhe KPM, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si po zhvillohet ky proces.
Sipas saj, disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë takuar në kafiteri me kandidatë për anëtarë të bordit të RTK-së, gjë që, sipas Kusarit, cenon perceptimin për pavarësinë e këtij institucioni.
Ajo ka vlerësuar se këto zhvillime paraqesin tipare të qarta të një përpjekjeje të partisë në pushtet për të vënë nën kontroll një institucion të pavarur.
“Këto janë karakteristika tipike kur një parti në pushtet synon ta kapë një institucion të pavarur. Niveli i cilësisë së kandidatëve është shumë i ulët dhe është shumë e vështirë të gjenden profesionistë, pasi profesionistët nuk i besojnë VV-së se do të zhvillojë një proces të drejtë, transparent dhe të bazuar në meritokraci”, ka deklaruar Kusari.
Ajo ka kritikuar edhe mënyrën e organizimit të intervistave, duke thënë se disa kandidatë janë njoftuar në orët e vona të natës për t’u paraqitur në intervistë mëngjesin e së nesërmes.
“Ta ftosh një person që do të shërbejë në RTK rreth orës 22:00 të natës dhe t’i kërkosh të paraqitet në mëngjes në intervistë, është tallje me proceset demokratike”, u shpreh ajo.
Sipas Kusarit, një kandidat po favorizohet për shkak të afërsisë së tij të supozuar me VV-në, ndërsa një tjetër është përjashtuar për shkak të bindjeve që, sipas saj, anojnë nga opozita.
Ajo theksoi se një anëtar bordi nuk mjafton vetëm të jetë i pavarur, por duhet edhe të duket i tillë në sytë e publikut.
“Takimet me deputetë lënë të kuptohet se janë bërë pazare. Shqyrtimi i dosjeve është bërë sa për sy e faqe. Janë bërë të gjitha përpjekjet për ta kapur tërësisht, ashtu siç është kapur RTK-ja, në mënyrë që në lajme të paraqitet sa e mrekullueshme është qeveria, sa i mrekullueshëm është Kurti, ndërsa gjithçka që bën opozita ose mediat e tjera të lidhet me Serbinë”, ka thënë Kusari.
Deklaratat e saj kanë nxitur reagime dhe pritet të shtojnë debatin publik rreth pavarësisë së institucioneve mediale dhe rregullatore në vend.